
Bie me 5 lekë çmimi i karburanteve në vend. Gjatë ditës së sotme, në pikat e shitjes me pakicë është pasqyruar ulje e çmimit të naftës dhe benzinës. Nafta ka zbritur në 178 lekë/litër, ndërsa benzina me 179 lekë/litër.
Tregtarët shpjegojnë se rënia e çmimit është pasqyrim uljes që ka pësuar ari i zi në tregjet ndërkombëtare, ku në Europë, një fuçi shitet sot me 51,5 dollarë nga rreth 80 dollarë që ishte dy muaj më parë. Por edhe me këtë rënie, çmimi i karburanteve konsiderohet i lartë nga drejtuesit e mjeteve.
“Nuk jemi të kënaqur fare, sidomos me cilësinë…”, thotë një qytetar.
“Me 5 lekë, unë kursej 3000 deri në 4000 lekë në muaj”, thotë një taksist.
Importuesit dhe tregtarët e karburanteve shpjegojnë se çmimi i lartë i karburanteve në Shqipëri kushtëzohet nga barra e lartë fiskale. Sipas tyre, 60% e çmimit janë taksat që i paguhen shtetit. (A2 Televizion)