
Zemërimi i francezëve kundër çmimit të lartë të karburantit nuk ka të ndalur. Përpos bllokadave në autostrada të ndryshme, janë vënë në shënjestër edhe depozitat e karburanteve. Organizatorët e manifestimeve kërkojnë ndërhyrjen e qeverisë, dhe në veçanti mundësinë për t’u takuar me kreun e Elizesë, Emanuel Macron.
Të ashtuquajturit veshjet e verdha, kërcënojnë të bllokojnë rafineritë dhe depozitat industriale. Sipas tyre, impakti i rëndë ekonomik do të detyrojë qeverinë të reagojë më shpejt. Protestat nisën paqësisht të shtunën, por shumë shpejt përshkallëzuan në dhunë. 1 grua humbi jetën, të paktën 400 vetë u plagosën përgjatë dy ditëve, ndërsa rreth 300 vetë u shoqëruan në polici.
Shumë prej protestuese ve fajësojnë Presidentin Emanuel Macron, i cili sipas tyre po e neglizhon çështjen. Lideri francez gjendet jashtë vendit dhe ende nuk ka komentuar lidhur me kërkesat e manifestuesve. Sipas një sondazhi të institutit Elabe, gati ¾ personave të marrë në pyetje i mbështesnin protestat, ndërsa 70% e tyre duan që qeveria të tërheqë vendimin për rritjen e taksave ndaj karburantit.
Protesta në mbështetje të veshjeve të verdha ka pasur edhe në Spanjë. Atje, çmimi i naftës është rritur me 23% gjatë 12 muajve të fundit, mesatarisht 1,51 euro për litër. Kjo është rritja më e lartë e çmimit që prej viteve 2000. (A2 Televizion)