
Presidenti francez Emanuel Macron kërkoi lidhje më të forta mes vendit të tij dhe Gjermanisë, duke thënë se Evropa e ka për detyrë të parandalojë rrëshqitjen e botës në kaos.
Macron vizitoi Berlinin me rastin e ditës së përkujtimit të viktimave të luftës. Në një fjalim në parlamentin gjerman, kreu i Elizesë deklaroi se Evropa nuk duhet të bëhet një lodër e fuqive të mëdha.

“Ka shumë fuqi që duan të na pengojnë, të cilat ndërhyjnë në debatet tona publike ,sulmojnë demokracitë tona liberale dhe përpiqen të na kthejnë kundër njëri-tjetrit. Dhe në këtë rend global, të cilin ne e marrim shumë seriozisht, fuqia jonë mbështetet tek uniteti”, deklaroi Macron në Bundestag.
Kjo nuk është hera e parë që numri një i Parisit bën deklarata të tilla që në mënyrë indirekte i referohen presidentit amerikan Donald Trump. Ky i fundit reagoi ashpër në rrjetin social Twitter javën e kaluar kur Macron e cilësoi nacionalizmin një tradhti ndaj patriotizmit.

Macron do që Bashkimi Evropian të jetë më i integruar, me një buxhet të përbashkët Eurozone. Ai kërkon gjithashtu mbështetjen e Gjermanisë për një ushtri evropiane, e cila sipas tij do të reduktojë varësinë e bllokut ndaj Shteteve të Bashkuara.
Kancelarja Angela Merkel ka shprehur pëlqimin e saj ndaj disa ideve, por të tjerat janë kontroverse në Berlin. Liderët francezë e gjermanë u takuan për bisedime pas fjalimit të Macron, ku diskutuan për migracionin dhe bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes.
(A2 Televizion)