
Nuk është një periudhë e thjeshtë për Facebook dhe për krijuesin e tij Mark Zuckerberg. Rrjeti social më i famshëm në botë me 2.2 miliard përdorues të çdo moshe dhe statusi social, është gjithmonë e më shumë i kritikuar nga mediat amerikane për politikat e sigurisë të programit dhe për rolin e tij të dyshimtë në përhapjen e të ashtuquajtura fake news, që mund të kenë ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në zgjedhjet amerikane dhe jo vetëm.
Kritikat kanë qenë aq të ashpra sa Zuckerberg ka menduar edhe mbylljen e bujshme të saj.
Jo më larg se një ditë pas artikullit të gjatë të prestigjiozes New York Times mbi dritëhijet e Facebookut dhe skandalet rreth tij, Zuckerberg mbajti një konferencë për shtyp online me praninë e mediave më të rëndësishme botërore, ku në 90 minuta u mundua të fitonte ”ndeshjen” me mediat dhe të shpjegonte risitë që presin krijesën e tij të suksesshme në të ardhmen e afërt.

“Kemi menduar disa herë të mbyllim ose pezullojmë Facebook, për të mbrojtur privatësinë e përdoruesve e vënë në rrezik nga sulmet kibernetike”, pohoi Zuckerberg jo pa shkaktuar surprizë.
Për akuzat e New York Times, kreu i Facebook pranoi që “shumë gabime janë bërë, por kemi mësuar nga ato”, por mohon që të ketë patur një strategji të vullnetshme për sa i përket aktivitetin rus në prag të zgjedhjeve amerikane.
Zuckerberg deklaroi ndër të tjerat që në gjashtë mujorin e fundit janë eliminuar rreth një miliard e gjysmë profilesh fallco ose që shkonin ndesh kodit etik të kompanisë.

Një tjetër risi që do të shpaloset së afërmi është krijimi i një organizmi të pavarur, i përbërë nga ekspertë, profesorë universitarë dhe juristë që do të gjykojnë mbi apelimet e atyre të cilëve i fshihet profili pas raportimeve të ndryshme, që mendohet do ti vej një fre disa vendimeve që kanë cenuar lirinë e shprehjes të përdoruesve.
“Facebook është një vend shumë më i sigurt sesa dy vite më parë”, e mbylli Zuckerberg, i bindur që një epokë të re po vjen për “mbretin” e webit. (A2 Televizion)