
Dëmtimet, por mbi të gjitha përkeqësimi i situatës epidemiologjike në të gjithë botën kanë ndikuar mbi të gjitha te ndeshjet ndërkombëtare. Miqësorja ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, e përcaktuar të luhet më 11 nëntor në Elbasan Arena është një tregues i qartë i vështirësisë që kanë ekipet përfaqësuese.
Ashtu si edhe kuqezinjtë e Edy Reja-s, edhe “Dardanët” kanë shumë probleme, me skuadrën që do të jetë e përgjysmuar prej dëmtimeve, por edhe prej situatës së krijuar nga Covid-19.
Milot Rashica vazhdon ta ketë të pamundur që t'i bashkohet përfaqësueses së Kosovës, me Werder Bremen që nuk e lejon të largohet. Në të njëjtën situatë është edhe Leart Paqarada, një tjetër lojtar që aktivizohet në Gjermani. Klubet, kanë shfrytëzuar rregullin e UEFA-s, që nuk i detyron t'i vendosin futbollistët në dispozicion të përfaqësueseve prej rrezikut të infektimit dhe karantinës.
Kundër Shqipërisë mungon edhe ylli tjetër i Kosovës, Valon Berisha, që prej problemeve me shpinën do t'i bashkohet Dardanëve vetëm për dy ndeshjet zyrtare, ashtu si edhe Idriz Voca.
Mungesa të tjera, për miqësoren e 11 nëntorit, por edhe për dy sfidat e Ligës së Kombeve me Slloveninë dhe Moldavinë janë edhe Florent Muslija, i cili është i dëmtuar dhe Benjamin Kololli, i pezulluar me dy ndeshje pas kartonit të kuq në barazimin kundër Greqisë. (A2 Televizion)