Covid-19 në burgje, zero transparencë nga Ministria e Drejtësisë

Nga A2 CNN
6 Maj 2020, 16:14 | Aktualitet
Covid-19 në burgje, zero transparencë nga Ministria e

Dy javë më parë, Ministria e Shëndetësisë konfirmoi praninë e një vatre infeksioni COVID-19 në burgun “Jordan Misja” në kryeqytet. Pak ditë më vonë u pohua se virusi kishte mbërritur edhe në burgun “Mine Peza”.

Fakti ngjalli shqetësim të lartë te familjarët e të burgosurve dhe paraburgosurve në të gjitha burgjet e vendit, që në total janë gati 4 800 vetë. Kur interesi publik për të mësuar ç’ndodhte me të sëmurët e të shëndoshët brenda burgjeve ishte maksimal, dëshira e autoriteteve për ta treguar ishte zero. Ministria e Drejtësisë zgjodhi të mos japë asnjë reagim zyrtar për situatën dhe mbi mënyrën e menaxhimit të saj.  

A2 kërkoi disa herë informacion në rrugë zyrtare, bazuar në ligjin “për të drejtën e informimit”, por nuk mori asnjë përgjigje. Standardi ka qenë i njëjtë edhe në institucionin vartës, Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve. I vetmi komunikim zyrtar në lidhje me situatën Covid-19 është ai i datës 14 prill, për një punonjës burgjesh pozitiv me virusin.

Interesimit të mëtejshëm për informacion, nuk iu dha përgjigje. Mungesën e transparencës nga burgjet nuk po e vuajnë vetëm gazetarët. Armand Tragaj është avokat dhe disa prej klientëve të tij janë të izoluar në burgun 313: "Kam dyshime të forta se klientët e mi janë infektuar pasi kanë qenë në të njëjtën dhomë me shtetasin e huaj që u konfirmua me koronavirus. Jemi në errësirë të plotë".

Bllokimi i informacionit në institucionet e mbyllura mund të jetë më i lehtë se ai në institucionet e tjera, por në të dyja rastet, nuk tregon asgjë më shumë, veçse papërgjegjshmëri ndaj publikut dhe mungesë serioziteti institucional.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos