Dallimet në dy Kuvendet e PD, Kadilli flet për 4 gënjeshtrat që beson Basha, si dhe tregon ambicien e tij

Nga A2 CNN
21 Dhjetor 2021, 09:00 | Politikë
Dallimet në dy Kuvendet e PD, Kadilli flet për 4 gënjeshtrat

Politikani Fatbardh Kadilli, i pranishëm në të dyja kuvendet e Partisë Demokratike ka komentuar në studion e "Dita jonë" dallimet edhe të përbashkëtat mes tyre. Sipas tij, te Berisha ka instinkt vetëmbrojtës, kurse te Basha ka dëshirë për një projekt, por të gjithë janë koshientë që kanë kryetarin të dobët. Ai thekson se te Basha janë krijuar 4 gënjeshtra që i besojnë, kurse te Berisha ka vetëm një vetëgënjim.

“Në të dyja Kuvendet ka moment vetëgënjimi. Te Basha janë krijuar 4 gënjeshtra që i besojnë që gjithçka filloi më 9 shtator, e dyta që nuk kemi nevojë të ndryshojmë, përralla e konservatorizmit që është e njëjtë me Berishën, PD-ja duhet të modernizohet dhe e katërta që jemi të preferuar të amerikanëve. 30 vjet më parë, ka pasur kongres të PPSH-së, ata larguan Enverin si simbol, por jo enverizmin. Te Berisha ka një vetëgënjim që dikush po sulmon si Soros, ca plane rajonale, të gjithë janë kundër nesh dhe ne duhet të rezistojmë. Ne jetojmë si rrethim, është kultura e zotit Berisha. Por ne nuk na intereson kjo, por t’i themi gjërat troç”.

Për Kadillin, si Basha ashtu dhe Berisha nuk kanë legjitimitet moral për të drejtuar PD-në. Ai thotë se asnjë propozim i ri nuk erdhi nga Basha dhe po ashtu nga Berisha. Të dy, sipas tij, po çojnë në ndarjen e PD-së.

“Si Berisha e Basha nuk kanë legjitimitet moral për të drejtuar, jo se nuk mbledhin njerëz, se ata kanë pasur e kanë pushtet. Por asnjë propozim të ri nuk kemi nga Basha, asnjë propozim të ri nuk mund të presim nga Berisha. Nëse kemi shkuar për hequr Bashën e rikthyer Berishën, shkojmë nga shiu në breshër. Tezat e manifestit i gjej te Berisha. Ata po e drejtojnë këtë përçarje. Të dy e dinë që kjo nuk çon në një PD, por dy PD, a do jetë e formalizuar një PD e dytë apo njëra me firmë. Demokratët janë të qartë që asnjëri nuk është zgjidhja”.

Kadilli theksoi gjithashtu se ambicia  e tij politike është drejtimi i PD-së, dhe tha se do të vazhdojë përpjekjet e tij në këtë drejtim.

“Do ta vazhdoj përpjekjen për udhëheqjen e PD-së, kjo është ambicia ime”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos