
Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), Ned Price, është shprehur pro hapjes pa vonesë të negociatave të pranimit në BE për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
"Ne mbështesim hapjen e negociatave të pranimit në BE për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë pa vonesë. Ne jemi të angazhuar në nivelet më të larta të qeverisë për të treguar përkushtimin tonë ndaj rrugës evropiane të aspirantëve", shkroi në Twitter zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.
Një vendim për nisjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, që zyrtarizon edhe hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, pritet të merret në Samitin e Bashkimit Europian që nis më 22 qershor.
Shanset për një vendim pozitiv janë shtuar pas zbutjes së qëndrimit të Holandës, e cila deri tani ka qenë kundër. Por problem mund të jetë qëndrimi i Bullgarisë, e cila mund të thotë “jo” për nisjen e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut, për shkak të mosmarrëveshjeve historike që lidhen me gjuhën dhe vetë qenësinë e kombit maqedonas. (A2 Televizion)