
Qeveria në Tiranë ndryshoi qëndrim në lidhje me arrestimin e tre policëve të Kosovës nga forcat serbe. Vetëm pak orë pasi Kryeministri Rama i quajti nxitje të konfliktit thirrjet që i vinin për të reaguar, ministrja e tij e Jashtme nuk priti hetimin e KFOR-it për të cilin fliste pak më herët Kryeministri. Kthesën ia la ta merrte Olta Xhaçka me një fjalim gjatë seancës plenare të Kuvendit, ku Rama vetë nuk u shfaq.
“Është po ashtu e domosdoshme që Qeveria e Serbisë të lirojë pa humbur kohë të tre policët. Në të tilla raste, edhe të kalimit të kufirit dhe të hyrjes në një zonë e cila do të konsiderohej e Serbisë, nëse e tillë ka qenë ngjarja, sigurisht që nuk parashikon arrest, por do të parashikonte një kthim pas”.
Kosova u imponua si temë debati nga opozita, me Sali Berishën që akuzoi Serbinë për sulm terrorist ndaj fqinjit jugor.
“Rrëmbimi i ushtarëve të policëve të Kosovës përbën një akt terrorist, banditesk, një shkelje flagrante të rezolutës së OKB-së të pavarësisë së Kosovës”, deklaroi Berisha.
Nga ana tjetër, ish-Kryeministri mendon se Edi Rama ka ndërhyrë në punët e brendshme të Kosovës për interesa të Presidentit Serb Aleksandër Vuçiç.
“Paraqitja që ai i bëri projektit të Asosacionit ishte ndërhyrja më brutale në çështjen më delikate në punët e brendshme të Kosovës. Në një akt kombëtar, antishqiptar”, tha Berisha.
Kundërpërgjigjen për këto akuza, ai e mori më vonë nga ministrja e Ramës, Olta Xhaçka.
“Ata që bërtasin më shumë se ju digjet barku për Kosovën, janë ata që kanë bërë më pak, ose i kanë bërë më shumë dëm Kosovës”, u shpreh Xhaçka.
Demokrati Oerd Bylykbashi i kërkoi llogari shefit të mazhorancës për qëndrimin ndaj Kosovës, në mbrojtje të të cilit u hodhën socialistët.
“Ai duhet të ishte këtu dhe të jepte llogari për atë që i i ka propozuar të tjerëve dhe jo Kosovës, për ato veprime që janë ato sanksione më përpara se të tjerëve”, u shpreh Bylykbashi.
“E duan Kosovën për debatin politik të ditës për ta përdorur Kosovën tonë të dashur si mish për top, për të gjuajtur kryeministrin dhe qeverinë”, tha Balla.
Përfaqësuesit e qeverisë përsëritën edhe njëherë apelin ndaj qeverisë së Kurtit për të ndryshuar qasjen ndaj aleatëve ndërkombëtarë, duke nënvizuar edhe njëherë rrezikun e izolimit të Kosovës. (A2 Televizion)