
Pas përfundimit të mandatit të saj në Shqipëri, si e dërguar e presidentit amerikan në selinë diplomatike në Tiranë, Yuri Kim pritet të marrë një tjetër detyrë të rëndësishme.
Burime diplomatike bëjnë të ditur për A2 CNN, se diplomatja Yuri Kim pritet të marrë postin e zëvendës ndihmës sekretares për Çështjet Europiane në Departamentin Amerikan të Shtetit.
Detyrë kjo që pritet ta rikthejë ambasadoren Yuri Kim herë pas here në Shqipëri.
Ditën e mërkurë, më 21 qershor, ambasadorja Kim ka paralajmëruar dhe një konferencë për shtyp në ambientet e ambasadës, që pritet të jetë e fundit e saj në këtë detyrë.
Yuri Kim mbërriti në Tiranë si Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Shqipërisë në janar 2020. Ambasadorja Kim, një diplomate karriere, ka punuar mbi sfida kyçe të politikës së jashtme dhe sigurisë kombëtare në mbarë Europën, Azinë dhe Lindjen e Mesme.
Ka qenë drejtoreshë e Çështjeve të Europës Jugore dhe ka mbuluar Turqinë, Greqinë, Qipron dhe më gjerë rajonin e Mesdheut Lindor; si drejtoreshë e Zyrës së Çështjeve Europiane të Sigurisë dhe ato Politiko-Ushtarake, ka mbuluar NATO-n dhe Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE). Më parë ka qenë Shefe e Kabinetit e Zëvendës Sekretarit të Shtetit dhe drejtoreshë e Qendrës për Studimin e Administrimit të Diplomacisë. (A2 Televizion)