
Seanca e kësaj të enjteje në Kuvend ka nisur me debate mes opozitës dhe mazhorancës mbi kërkesën e SPAK-ut për arrestimin e ish-ministrit Arben Ahmetaj. Opozita kërkoi që Edi Rama të jetë në sallën e Kuvendit dhe të japë llogari për aferën e inceneratorëve.
Sali Berisha u shpreh se Ahmetaj u arratis si një hajdut ordiner vetëm 4 orë para se SPAK-u t’i kërkonte Kuvendit leje për arrestimin e Ahmetajt.
“Ka vjedhur dhe vetëm vjedhur, pasi ka mbushur baulet duke vjedhur Shqipërinë, ia mbath. Ai bën aktin më të turpshëm të një hajduti ordiner. A jeni ju të vetëdijshëm se çdo të thotë kjo për një deputet, për një ministër. Faji kolektiv ekziston në doktrinë. Në vend se të ndalemi të diskutojmë për këtë ngjarje që kalon çdo masë. Një njeri që është vlerësuar si i supersuksesshëm, ikën në mënyrën më të turpshme. 4 orë para se t’i vinte. Mbaroi koha, por nuk mbarojnë kurrë krimet e kësaj qeverie”, tha Berisha.
Ndërkohë, deputeti i PS, Toni Gogu, tha se seanca duhet të vazhdojë normalisht, ndërsa kërkesën e opozitës e vlerësoi si boshe.
“Flisni gjithmonë më parë se të flasë drejtësia. Ne dëgjojmë me vëmendje dhe ngaqë dëgjojmë me vëmendje arrijmë të fitojmë. Ne sot dhe me dëshirën më të madhe nuk kemi çfarë të votojmë. Mos na sillni gjëra boshe. Kërkesa jonë është të vazhdojmë me seancën, pasi nuk kemi lëndë”, tha Toni Gogu, deputet i PS.
Bardhi-Nikollës: Ndërprit seancën, Rama të japë llogari, afera e inceneratorëve nuk është personale
Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi kërkoi nga kryetarja e Kuvendit, Nikolla të ndërpresë seancën dhe të thërrasë kryeministrin të vijë e të japë llogari për dy ngjarjet e rënda të ditëve të fundit.
Sipas Bardhit, zhvillimet e fundit për inceneratorët tregojnë se afera e inceneratorëve nuk është personale e Ahmetaj, por e qeverisë.
“Përpara se të flas për kërkesën, besoj se është në nderin tuaj që sa kohë brenda 4 ditëve kanë ndodhur dy ngjarje për të cilat kryeministri duhet të japë llogari. Ndërprisni seancën dhe i kërkoni kryeministrit të vijë. E papranueshme që Rama fshihet pas Rrajës dhe Arben Ahmetaj. Ky është thelbi i qeverisjes së një njeriut. Kryeministri të vijë të japë llogari për licencën që i ka dhënë deputetit në kundërshti me ligjin dhe që shkatërroi shtëpitë e një fshati dhe kjo nuk mund të kalohet me dorëheqjen e deputetit. Ka një kërkesë të SPAK për arrestimin e zëvendësit të tij. Aty përmenden dhe 4 ministra të tjerë dhe nuk është aferë personale, por e qeverisë së Ramës. Është i vetmi që nuk ka folur për ngjarjet e rënda që tregojnë thelbin e qeverisjes së tij”, tha Bardhi.
PS nuk pranon të ndryshohet rendi i ditës, Gazment Bardhi: Rama të lërë negociatat në distancë me Ahmetajn
Partia Socialiste shprehu qëndrimin e saj në seancë se është kundër ndryshimit të rendit të ditës, një kërkesë kjo e opozitës që do të hapte rrugë për miratimin e kërkesës së SPAK për arrestimin e Arben Ahmetajt.
Sipas deputetes Bushka ka një procedurë që duhet ndjekur sipas rregullores, pasi raportet e Këshillit të Mandateve ende nuk janë gati.
“Në lidhje me kërkesën për ndryshimin e rendit të ditës ju sqaroj se kërkesa e PD nuk ka bazë. Procesi për të cilin diskutohet nuk është politik, por procedurial dhe duhet të mbizotërojë interesi i drejtësisë. Në kemi bërë një proces në Këshillin e Mandateve, duhet të bëhet një raport ose dy. Rregullorja e normon që brenda dy javëve hartohet një raport, ne e përfunduam dje shqyrtimin. Të hënën është seanca”, tha Bushka.
Nga ana opozitës reagoi sërish Gazment Bardhi, i cili i kërkoi kryeministrit që të lerë negociatat në distancë me Ahmetajn dhe të kthehet në seancë për të dhënë llogari.
“Kam bërë një kërkesë procedurale, të ndërpritet seanca, thërrisni Ramën, është përgjegjësi e tij rasti i Krujës dhe inceneratorëve. Nuk mund të kalohet në heshtje, nuk ka zgjidhur hallet e korrupsionit. Ka një grup parlamentar në burg dhe po krijon një tjetër. Nuk është përgjegjësi individuale e Arben Ahmetajt. Është e gjithë qeveria e përfshirë në aferë. Rama të lerë negociatat në distancë më Ahmetajn. Anëtarët e Këshillit të Ministrave e kanë për detyrë të jenë në seancë kur kërkohet nga deputetët”, deklaroi Bardhi. (A2 Televizion)