Kalimi i dosjeve gjyqësore të
ish-Krimeve të Rënda për kompetencë në Gjykatën e Posaçme ka ngjallur një debat
për masën e sigurisë së të pandehurve. Avokatët njëzëri kërkojnë lirimin e
klientëve nga qelitë. Ata pretendojnë se masat kanë rënë, me argumentimin se ka
skaduar afati 10-ditor ivlerësimit të tyre, pasi kalojnë në një gjykatë të re
kompetente.
Kërkesat për shuarje të masës së sigurisë janë
bazuar në nenin 88 të Kodit të Procedurës Penale, sipas të cilit, masat e
sigurimit të vendosura nga gjykata, e cila në të njëjtën kohë ose më vonë
shpallet jokompetente për çdo lloj shkaku, i humbasin efektet nëqoftëse brenda
dhjetë ditëve nga marrja e akteve, gjykata kompetente nuk vendos për masën e
sigurimit.
Çështja ka ngjallur debat, pasi çdonjëra prej kërkesave që është marrë në shqyrtim deri më tani është kundërshtuar nga prokurorët e SPAK dhe rrëzuar nga gjykata.
Avokati Ferid Muçaj thotë: “Për mua, me skadimin e afatit 10-ditor, nëse nuk është bërë rivlerësimi i masës së sigurimit, kjo masë, çfarëdo që të jetë, ka rënë”.
“Fakti që kemi emërime të reja dhe fakti që kemi gjykatë të re, brenda 10 ditëve duhej që SPAK-u të kishte bërë kërkesat për vlerësimin e masave. E kam ngritur këtë problematikë në disa raste”, shprehet avokati Jordan Daci.
Avokati Baftjar Rusi nuk ndalet vetëm tek nevoja e rivlerësimit të masës së sigurisë: “Veprimet e kryera nga gjykata jokompetente janë të pavlefshme. Gjithçka duhet të niste nga e para, jo vetëm masa e sigurisë, por edhe hetimi gjyqësor”.
Por, teksa palët interpretojnë ndryshe ligjin, autoriteti që do t’i vinte kapak diskutimit nuk ekziston.
“Gjykata e Lartë duhet ta zgjidhte këtë çështje, por ajo nuk ekziston”, thotë Muçaj. (A2 Televizion)