
“Mund të ndërtosh një strategji pozitive që i tërheq njerëzit dhe shkon te qytetari jo me parulla dhe slogane, por me ndershmëri. Kanë munguar këto elementë. Të gjitha etapat e procesit zgjedhor janë një lojë që po ndodh. Në qershor, Shqipëria do të marrë një përgjigje nga BE. Politikanët e kanë kuptuar që përgjigja do të jetë negative, këtë radhë do të jetë më negative edhe për shkak të Maqedonisë. Për shkak se Shqipëria nuk do të arrijë të mbyllë procesin e ankimimeve dhe të debatit zgjedhor, nuk do të jepet një vlerësim për zgjedhjet për sa kohë nuk është mbyllur procesi zgjedhor”.
Kështu u shpreh në A2 analisti Afrim Krasniqi teksa komentoi debatin dhe denoncimet për zgjedhjet e 25 prillit.
“Edhe kryeministri ka nisur një retorikë kundër vendeve të BE, ndërsa opozita ka problemin që këtu drejton krimi dhe në momentin që drejton krimi nuk jemi gati për BE. T’i heqësh shansin Shqipërisë për 4-5 karrige është një tallje e madhe me këtë vend, një krim që i bëhet shoqërisë shqiptare”, u shpreh Krasniqi. (A2 Televizion)