
Reshjet e borës që përfshinë thuajse të gjithë vendin gjatë ditës së shtunë, kanë vështirësuar në shumë vende qarkullimin e mjeteve, lëvizjen e këmbësorëve si dhe furnizimin me energji elektrike kryesisht të zonave rurale. Në mënyrë të veçantë në qarqet e Korçës, Lezhës, dhe Elbasanit, reshjet e borës janë shoqëruar me temperatura mjaft të ulëta si dhe me erë të fortë. Gjatë mbrëmjes së të shtunës disa dhjetëra udhëtarë me autobusë dhe makinat e tyre private u bllokuan në aksin Milot-Lezhë për shkak të borës dhe furtunës që përfshiu zonën.
Për orë të tëra qytetarët kërkonin ndihmë, për hapjen e rrugës e cila u bë e mundur vetëm mëngjesin e së dielës. Edhe në Elbasan, autoritetet lokale i kanë ardhur në ndihmë një autoambulancë në Labinot, si dhe një familjeje në Cërrik.
Temperaturat e ulëta dhe era e fortë ka bërë që mëngjesin e sotëm gjithçka të jetë e ngrirë. Thuajse në të gjitha rrugët kishte prezencë akulli, ndërsa zona të caktuara rurale në qarqet e Korçës, Lezhës dhe më në veri të vendit janë të bllokuara.
Në Korçë, ka fshatra ku trashësia e borës varion nga 40 cm deri në 2 metra. Autoritet raportojnë për problematika kryesisht me furnizimin me energji elektrike si dhe rrugë të bllokuara në zonat e thella rurale. Ndërsa, pjesët e tjera raportohen të kalueshme, por me zinxhirë, ndërkohë vijon puna për kriposjen e rrugëve dhe hapjen atje ku janë të bllokuara. (A2 Televizion)