
Prej pasdites së djeshme reshje të dendura dëbore kanë përfshirë pjesën më të madhe të vendit duke shkaktuar problematika me qarkullimin në shumë akse rrugore.
Mbrëmjen e djeshme dhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku njoftoi se deri të hënën do të ndalohet qarkullimi i mjeteve të rënda, të cilat shkaktojnë probleme në qarkullim.
Bora ka qenë me intesitet në shumë zona, dhe problematika janë regjistruar si në veri ashtu edhe në jug.
Në qarkun e Korçës reshjet kanë vijuar pa pushim gjatë gjithë natës dhe janë shoqëruar me erë. Temperaturat kanë shkuar deri në -10 gradë celsius, duke shtuar dhe praninë e akullit në rrugë.
Kështu në Velçan trashësia e borës ka arritur në 70 cm, në Dardhas 1 m, Trebinjë 40-70 cm, Proptisht 70 cm.
Të bllokuara janë disa fshatra në njësinë administrative Gore e Moglicë si dhe fushën e Maliqit ku trashësia e borës varion nga 30-70 cm.
Trashësia më e madhe e borës është në Mashkullorë mbi 2 m ndërsa në fshatin Panarit situata është vështirësuar ku banorët janë të izoluar prej fillimit të janarit.
Probleme me furnizimin me energji ka pasur në njësitë Proptisht, Homezh, Slabinje, Homçani, por dhe në bashkinë e Devollit në fshatrat Tren e Bitinckë.
Në qarkun e Elbasanit temperaturat kane qenë nën zero gradë gjë që ka sjellë praninë e ngricave në akset rrugore nacionale, rurale dhe në rrugët e brendshme të bashkive të qarkut.
Në aksin rrugor Elbasan-Rrogozhinë, Elbasan-Belsh , Elbasan-Gramsh, mëngjesin e sotëm kemi pasur bllokime të pjesshme nga prezenca e madhe e akullit. U njoftuan firmat kontraktuese për hedhjen e kripës.
Aksi Librazhd-Stëblevë është bllokuar në segmentin Fushë Studen-Klenjë ku kemi një prezencë bore deri 70 cm. Po punohet për hapjen e rrugës nga firma kontraktuese.
Në bashkinë Elbasan kemi bllokim të akseve Elbasan-Labinot Mal dhe Elbasan-Funarë.
Probleme në furnizimin me energji në Gjergjan, Shalës, Shushicë, Tregan, Funar të bashkisë Elbasan, në Orenjë, Hotolisht, të bashkisë Librazhd, në njësinë Mollas të bashkisë Cërrik dhe Grekan të bashkisë Belsh.
Në qarkun e Shkodrës situata vijon të jetë e rënduar dhe për shkak të përmbytjeve që prej javësh mbajnë në pushtetin e ujit shumë zona.
Rrugë të bllokuara në Darragjat dhe Shirq, në vendin e quajtur Urrelat e Shirqit, ku lartësia e ujit arrin 140 cm në rrugë. (A2 Televizion)