
Ftohja e marrdhënieve mes Shqipërisë dhe Kosovës po ndodh prej vitesh, e nuk lidhet dhe aq shumë me zhvillimet e javëve të fundit. Kështu i është përgjigjur presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pyetjes së DW, lidhur me përplasjet me Shqipërinë për inciativën Open Balkans.
“Nuk do të thoja që kjo ka të bëjë me javët e fundit. Është diçka që po ndodh për vite me radhë, megjithatë, ne si institucione të reja të Kosovë nuk kemi dhënë asnjë arsye të vetme që do të nxiste Shqipërinë të ftohte marrëdhëniet me Kosovën apo të mos përkrahte Kosovën. Ajo që kemi bërë në, është mbrojtja e interesave të vendit tonë sovran. Dhe pikërisht kjo ndodh, kur ne refuzojmë iniciativën Open Balkans, e njohur si iniciativa e Novi Sadit. Përmes saj nuk mund të çojmë përpara interesat e Republikës së Kosovës, si shtet i pavarur, përderisa Serbia vazhdon të mohojë ekzistencën tonë si shtet.”, u shpreh Vjosa Osmani.
Edhe gjatë takimeve të zhvilluara me zyrtarë të lartë gjerman, në vizitën e saj disa ditore në këtë shtet, presidentja Osmani, riktheksoi qëndrimin kundër ndaj incicativës Open Balkans, duke thënë se nuk mbështesnin ide paralele ndaj zgjerimit dhe procesit të Berlinit. Në intervistën për DW, Osmani tha se një vend autokratik si Serbia nuk e ka vendin në BE.
“Pres që Gjermania të luajë rolin e lideri tnë Bashkimin Evropian për të shtyrë përpara vendet tona drejt anëtarësimit në BE. Por gjithnjë bazuar në kriteret që plotësojmë. Pasi një vend autokratik si Serbia nuk e ka vendin në BE. Shpresoj që Gjermania do të jetë e zëshme për ta thënë të vërtetën rreth Serbisë. E vërteta është se Serbia po destabilizon rajonin dhe Bashkimi Europian nuk duhet të pranojë të hapë asnjë kapitull të ri, në qoftë se Serbia nuk e njeh Kosovën.” (A2 Televizion)