
''Jam i lumtur me lojën e skuadrës, por jo me rezultatin''. Kështu është shprehur në konferencën për shtyp përballë gazetarëve trajneri i Partizanit Zoran Zekic.
Sipas kroatit, skuadra e tij tregoi kualitet në fushë, por duhet ende kohë që ekipi të jetë në formën më të mirë.
''Kemi luajtur me vetëm 25 ditë në dispozicion. Disa lojtarë janë të lodhur, nuk kishim përqendrim. Ne bëmë presing të lartë në pjesën e parë, pastaj u tërhoqëm për të pritur momentin tonë për të sulmuar në thellësi. Me rastin e parë, BATE Borisov shënoi, por pastaj falë Zotit shënuam edhe ne.
E kam parë BATE në ndeshjet e fundit që ka luajtur, kishim informacione, ishim të përgatitur shumë mirë. Është e qartë në këtë moment që ata kanë luajtur shumë ndeshje dhe kanë automatizëm më të mirë se ne në këtë moment ndaj duhet të luajmë më shpejt dhe më me agresivitet”, tha trajneri i Partizanit.
Nga ana tjetër, trajneri i Bate Borisov, Kirill Alshievskiy tregoi se bjellorusët pavarësisht shumë problemeve që kishin, treguan vendosmëri për të mos e humbur ndeshjen.
Tashmë, vëmendja është në Hungari në datën 18 korrik, aty ku Partizani dhe Bate Borisov do të luajnë ndeshjen e kthimit. (A2 Televizion)