
Adhuruesit e regjimit komunist nuk shfaqen vetëm për 5 maj apo 29 nëntor. Ata kanë qenë prezent në hallkat e shtetit shqiptar, deri në vendimmarrjen parlamentare. Gjatë prezantimit të raportit vjetor të Autoritetit të Dosjeve për vitin 2021, Gentiana Sula e bëri më se të qartë se bashkëpunëtorët e ish-sigurimit të shtetit nuk kanë munguar as mes deputetëve.
“Pyeti për parlamentin e mëparshëm se sa persona janë me dokumente, dhe ne bëmë verifikimin dhe atëherë kishte pesë perona me çështje, por që nuk ishin verifikuar”, tha Sula.
Po si mund të shkëputet Shqipëria nga ish-bashkëpunëtorët e regjimit? Një propozime dha vetë kryetarja e Autoritetit të Dosjeve, që i kërkoi politikës ta bëjë pjesë të Kodit Zgjedhor. “Të bëhet një vetëdeklarim pastaj t’i lihet kohë institucioneve të bëjnë verifikimin sepse partitë vetë nuk e kanë kërkuar këtë gjë dhe është mëkat! Për sa kohë institucioni është krijuar dhe ka funksionet e plota, themi që në reformën zgjedhore duhet të merret parasysh”, tha Sula.
Sugjerimet e Genta Sulës nuk u komentuan nga deputetët, të cilët duhet t’i kalojnë një raport me sugjerimet e veta sallës plenare. (A2 Televizion)