
Kryeministri Edi Rama deklaron se kostoja financiare e dëmeve nga tërmeti mund të arrijë deri në 1 miliardë euro. Këtë shifër, Rama e bëri publike gjatë takimit me ministrin e Jashtëm Di Maio dhe Kryeministrin italian Giusepe Conti.
“Raporti i dëmeve pritet të përfundojë në ditët në vijim në bashkëpunim me BE dhe OKB. Shifra përfundimtare nuk ka dalë ende, por të dhënat e deritanishme konfirmojnë se bëhet fjalë për një shumë që rrotullohet rreth 1 miliardë euro”, u shpreh Rama.
Kryeministri Shqiptar mori mbështetjen e ministrit Di Maio, i cili u shpreh se kjo çështje do të diskutohet në konferencën e donatorëve për të marrë edhe një zgjidhje konkrete.
Konferenca e donatorëve do të mbahet më 17 shkurt. Në përfundim të takimeve në Romë, Kryeministri Rama theksoi përmes një videomesazhi, se donacionet ndërkombëtare nuk do të mjaftojnë për të mbuluar koston e dëmeve dhe se qeveria po përgatiste masa të guximshme financiare.
“E kemi të qartë se për të përmbushur nevojën e jashtëzakonshme, konferenca e donatorëve nuk do të mjaftojë. Ne jemi të përgatitur për të vijuar pas konferencës me disa veprime të tjera kurajoze në aspektin financiar, duke përfunduar nga qëndrueshmëria makroekonomike nga këto vite reformash”, shtoi më tej Rama.
Pas Italisë, në fillim të javës së ardhshme, Rama do të fluturojë për në Gjermani ku do të takohet me Merkel dhe takime të tjera të nivelit të lartë, siç thotë ai. (A2 Televizion)