Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, komentoi raportin e Transparency International për perceptimin e korrupsionit në Shqipëri. “Degradimi i skajshëm dhe kriminalizimi kapilar i qeverisjes Rama, është një realitet i hidhur që provohet qartë nga raportet më të besueshme profesionale të organizatave prestigjioze ndërkombëtare sikurse është Transparency International. Korrupsioni i kësaj qeverie po shkatërron ekonominë dhe po na kalb atdheun”, shkruan Basha në Facebook.

Basha shton se për shkak të qeverisjes, Shqipëria po pëson një përkeqësim dramatik të gjendjes së korrupsionit duke zbritur edhe 7 vende të tjera vetëm gjatë vitit të fundit. “Në mesin e 180 shteteve të marra në shqyrtim për nivelin e integritetit, Shqipëria renditet në vendin e 106-të, në të njëjtin nivel me vende si Bregu i Fildishtë apo Mongolia. Ja pse i duhet qeverisë Rama paketa ligjore “Anti-Fjalës së Lirë”, për të penguar daljen në shesh të korrupsionit masiv qeveritar që po përmbyt Shqipërinë”, shton ai. (A2 Televizion)