Komisioni i Medias rrëzon dekretin e Presidentit për kthimin për rishqyrtim të paketës antishpifje

Nga A2 CNN
23 Janar 2020, 13:37 | Politikë
Komisioni i Medias rrëzon dekretin e Presidentit për kthimin për

Komisioni i Medias ka rrëzuar këtë të enjte dekretin e Presidentit Ilir Meta për kthimin e ligjit të mediave audiovizive, pjesë e paketës antishpifje. Një ditë më parë, edhe Komisioni i Veprimtarive Prodhuese rrëzoi dekretin e presidentit për AKEP-in, gjithashtu pjesë e paketës antishpifje.

Këshilltari i Presidentit, Bledar Dervishi, tha gjatë fjalës në komision se me dekretin për kthimin e ligjit, Presidenti ka ndjekur shqetësimet e grupeve të interesit. “Një pjesë e dispozitave të ligjit janë hap me tendencë pozitive. Presidenti vlerëson ndryshimet e ligjit për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve”, tha ai. “Por disa dispozita bien në kundërshtim me kushtetutën dhe cenojnë lirinë e shprehjes. Institucionet i vënë në zbatim gjobat pa pasur një vendim përfundimtar nga gjykata. Kjo i bën të pasigurta mediat. Krijon probleme për mediat online që janë kritike me qeverinë. Do çonte në autocensurë, frikë dhe mbyllje të mediave kritike. Një situatë e tillë do e çonte vendin në autoritarizëm”.

Por ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj tha se i ligji vjen për shkak të pasojave që ka sjellë deri tani tregu i parregulluar i medias online. “Qëllimi i ndryshimeve, vendosja e rregullave procedurale për të parandaluar cenimin e dinjitetit të individëve, parandalimin nga gjuha e urrejtjes”, tha ajo. Gjonaj shtoi se ligji është dakordësuar me OSBE. “Nëse Venecia sjell rekomandime do t’i reflektojmë”.

Por deputeti Ilir Beqja, anëtar i komisionit tha se nuk mund të pritet opinioni i Venecias pasi ka afate kushtetuese për votimin e dekreteve. “Arsyetimet e ligjit janë politike, jo juridike. Presidentin nuk e fsheh dot mllefin ndaj shumicës”, tha ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos