Mbledhja e fundit e "Rama 2": Kritika e vlerësime për ministrat, gjithçka e hapur për kabinetin e ri

Nga A2 CNN
25 Gusht 2021, 15:59 | Politikë
Mbledhja e fundit e "Rama 2": Kritika e vlerësime për

Kryeministri mblodhi për herë të fundit kabinetin “Rama 2”, për të bërë një përmbledhje të punës 4-vjeçare e për t’i vënë notën secilit prej ministrave. Vlerësimet më të mëdha kreu i qeverisë i dha për ministren Ogerta Manastirliu, Belinda Ballukun, Olta Xhaçkën dhe Niko Peleshin, ndërsa më kritik u shfaq ndaj Blendi Klosit dhe Evis Kushit.

Pak ditë para nisjes së sesionit të ri parlamentar, kryeministri mblodhi për herë të fundit kabinetin “Rama 2”, për të bërë një përmbledhje të punës 4-vjeçare e për t’i vënë notën secilit prej ministrave.

“Mbyllet me një notë pozitive, besoj unë, puna e një mandati tejet të vështirë, kur tërmeti më parë dhe pandemia më pas diktuan me një forcë të pashembullt ndryshimin e prioriteteve tona qeverisëse”.

Tek të dalluarit e kabinetit, kreu i qeverisë përfshiu Ogerta Manastirliun e Shëndetësisë, Belinda Ballukun e Infrastrukturës, Olta Xhaçkën e Punëve të Jashtme dhe Niko Peleshin e Mbrojtjes, të cilët i vlerësoi edhe publikisht.

“Dua të falënderoj ministren e Shëndetësisë, e cila përgjatë 18 muajve të stër vështirë e mishëroi me dinjitet të lartë qytetar, qëllimin themelor të kësaj qeverie, për të qenë qeveri e punës.

Në sektorin e Infrastrukturës dhe Energjisë kemi krijuar kushte më të qëndrueshme për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik dhe social të vendit në dekadën ku sapo kemi hyrë.

Jemi të gjithë krenarë me atë që është bërë në fushën e mbrojtjes dhe punët e Jashtme”.

Vlerësime morën dhe ministrat Milva Ikonomi, Elva Margariti dhe Blendi Cuçi, Anila Denaj, por për ta nuk munguan edhe sugjerimet për të bërë më mirë.

“Më shumë mund të kishim bërë me formalizimin e ekonomisë, por sidoqoftë kemi bërë një punë shumë të vyer me ndërtimin e sistemit të ri digjital të fiskalizimit. Në vigjilje të mandatit të ri jemi në një udhëkryq të ri, mes stanjacionit në punën e Policisë së Shtetit dhe futjes së një marshi tjetër më të lartë në funksion të përmirësimit të mëtejshëm të performancës së trupës sonë policore”.

Më i ashpër kreu i qeverisë u tregua ndaj Blendi Klosit dhe Evis Kushit, të cilëve u listoi dhe dështimet.

“Nuk jam aspak krenar për gjendjen tërësore të universiteteve, të cilën do ta adresojmë me shumë punë, me shumë durim, në bashkëpunim të ngushtë me rektorët, duke synuar njëkohësisht në vijim, përfshirjen sa më shumë në arsimin tonë të lartë të universiteteve publikë ndërkombëtare.

Pa harruar administrimin e plazheve që në këtë sezon la jashtëzakonisht shumë për të dëshiruar. Por edhe të tjera mangësi akoma që duhen administruar me qartësi, me shpejtësi, me këmbëngulje dhe me shumë vendosmëri më tej”.

Për sa i përket kabinetit të ri qeveritar, Rama la të hapura të gjitha mundësitë, pa dhënë asnjë detaj se kush do të jetë pjesë e tij gjatë mandatit të riqeverisës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos