
Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca, nuk pranoi të komentonte specifikisht dënimin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, por tha se vendimet e fundit të Gjyqësorit, tregojnë më shumë pavarësi të drejtësisë.
“Nuk komentoj për procedura në vijimësi apo për çështje specifike, por mund të them se po të shikohen disa nga vendimet e fundit, te gjykata shihet një pavarësi më e madhe e Gjyqësorit dhe ky është lajm i mirë për Gjyqësorin. Ne shohim sinjale të mira nga puna e gjyqtarëve dhe prokurorëve, nuk është e mjaftueshme, ne presim më shumë nga të gjithë njerëzit e drejtësisë:, tha italiani gjatë një vizite në Korçë, ku u promovua nisja e fushatës “Europa është këtu”, bashkë me ministren e Bujqësisë, Frida Krifca.
I pyetur për situatën brenda Partisë Demokratike, Soreca tha: “Nuk dua të komentoj zhvillimet e brendshme të partisë, ne nuk kemi ndërhyrë ndonjëherë”.
Sipas Soreca-s, BE-ja ka mbështetur dhe do të vijojë të mbështesë Reformën në Drejtësi, ndërsa përshëndeti zgjatjen e afateve të vetingut. “Do të vazhdojmë punën tonë për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me të ardhmen e vendit, sidomos me procesin e vetingut”. (A2 Televizion)