
Drejtoria e Përgjithshme Detare tha se për të paktën një ditë është pezulluar lundrimi i varkave të vogla dhe mjeteve të peshkimit, për shkak të kushteve të vështira të motit. Gjithashtu, për datën 7 shkurt, është pezulluar lundrimi i trageteve për linjën Durrës-Bari-Durrës dhe Vlorë-Brindisi-Vlorë.
Drejtoria e Përgjithshme Detare njoftoi se si rezultat i erërave të forta me drejtim jug-jugperëndim dhe veriperëndim, në datën 7 shkurt 2022 deri më 8 shkurt 2022 moti në gjithë bregdetin shqiptar do të jetë përkeqësuar.
“Bregdeti shqiptar do të përfshihet nga era me shpejtësi deri në 33 milje në orë dhe lartësia e dallgës së detit arrin në 2.8-3.5 m dhe forca e detit 5-6 deri 7-8 ballë. Kushtet e motit përmirësohen në datën 9 shkurt 2022 mbas orës 6 të mëngjesit”, tha Drejtoria. (A2 Televizion)