
Ministria e Arsimit bëri të ditur se të gjithë personat e dyshuar si të përfshirë për abuzime ndaj nxënësve në rastin e një shkolle në Fier, të bërë publik në media gjatë ditëve të kaluara, janë shkarkuar, apo janë duke u ndjekur edhe penalisht.
“Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar ka marrë masa të tjera të menjëhershme si ndryshimin e pjesëtarëve kryesorë të stafit të institucionit arsimor, dhënien e ndihmës psiko-sociale, ndërsa ndjekim nga afër çdo zhvillim në lidhje me hetimet e organeve kompetente.
Parandalimi është kyç, prandaj rregullorja e re e arsimit parauniversitar parashikon dënimet më të larta për ata që nuk punojnë në të mirën e nxënësve, abuzojnë apo përdorin çfarëdo lloj forme të dhunës në shkollë. Masat janë marrë edhe pse jemi ende në gjendjen e dyshimeve dhe jo përfundimeve finale, që tregon seriozitetin me të cilin MASR-ja dhe institucionet e varësisë marrin në raste të tilla”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Arsimit.
Ditë më parë, në një emision televiziv investigativ, u sollën dëshmi të ndryshme nga një shkollë e mesme në Fier, ku nxënësit akuzonin një prej profesorëve, që abuzonte seksualisht me ta. (A2 Televizion)