
Ndërkohë që kryeprokurori, Olsian Çela i ka kërkuar të gjitha prokurorive që të hetojnë krimin zgjedhor, SPAK po vijon punën me procedimet penale, bazuar edhe në kallëzimet penale të institucioneve, presidentit dhe qytetarëve të thjeshtë. Gazetari i A2 CNN, Armand Bajrami, thekson se deri më tani në SPAK janë depozituar 91 kallëzime për krimin zgjedhor, 55 prej tyre janë nga partitë politike, kryesisht nga PD.
Deri në këto momente, SPAK ka regjistruar 33 hetime penale sa i përket krimeve zgjedhore dhe 29 janë për dyshime për veprën penale të korrupsionit aktiv dhe pasiv gjatë procesit zgjedhor, 2 janë për përdorim të funksioneve publike dhe një është për përdorimin e të dhënave vetjake.
Një ditë më parë edhe kryeprokurori Olsian Çela kërkoi nga vartësit e tij zbardhjen e çdo krimi zgjedhor para dhe pas procesit zgjedhor. Ai u kërkoi atyre hetime të plota dhe të shpejta për çdo pretendim të ngritur dhe për çdo hetim të nisur nga SPAK dhe prokuroritë. (A2 Televizion)