
Deputeti Luan Baçi, anëtar i Komisionit të Rithemelimit, komentoi në emisionin “Debat” vendimin për t’u dorëhequr të Lulzim Basha nga posti i kreut të PD-së. Por ai nuk flet për dorëheqje.
“Nuk shikoj lajm. Basha nuk është dorëhequr, për t’u dorëhequr duhet të kesh diçka në dorë. Ai u shkarkua në 11 dhjetor me 4446 vota dhe 44 mijë votat e anëtarësisë që kanë ratifikuar në primaret e 18 dhjetorit. Ka marrë një vendim hipokrit, i ka mbetur vetëm të lejë zyrën dhe strukturat e Partisë Demokratike”, thotë ai.
Sipas tij hipokrizia qëndron te fakti që “duke rakorduar mirë aksionin e tij me 5-6 deputetë që i kanë mbetur besnikë, bëri një mbledhje të përbashkët të kryesisë dhe grupit parlamentar, një farsë që Basha vazhdon të bëj duke dëmtuar edhe më shumë PD-në”.
Për deputetin demokrat të Rithemelimit, “në qoftë se deri tani grumbullimi i urrejtjes së demokratëve ka qenë si asnjëherë tjetër, ai po ja shton atyre me lëvizjet që bën. Ai në deklaratën që bën flet për një hap pas, do që të paraqesë dorëheqjen si një veprim fisnik si politikan perëndimor, por ai duhet të kuptojë që është pa dinjitet dhe personalitet, i braktisur nga të gjithë demokratët (A2 Televizion)