
Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve pranë KQZ-së e konsideroi se të padrejtë gjobën që Ilirjan Celibashi i kishte vënë drejtorit të Kadastrës Lushnje.
Masa administrative prej 1500 lekësh u mor pasi Agron Qalliu u akuzua se kishte lejuar shpërndarjen e certifikatave të legalizimit nga deputeti i zonës Bujar Çela. Por, Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve nuk gjeti fajtor shefin e Kadastrës e as deputetin.
“I ka kërkuar komisionerit shtetëror të zgjedhjeve që të informojë ASHK që në respektin të standardit të zgjedhjeve dhe neutralitetit të administratës publike, deputetët deri në datën e zgjedhjeve të mos ftohen nga ky institucion në veprimtarinë rutinë”, tha Ilir Rusmali.
Deri në marrjen e këtij vendimi, anëtarët e KAS dëgjuan pretendimet e secilës palë. Avokati i Arben Qallit, parashtroi disa argumente duke nënvizuar se fotografia e deputetit Çela në Facebook nuk është provë. Sipas tij, aty nuk dëshmohet një aktivitet publike pasi takimi është bërë në ambient familjar, pretendim ky që ishte pranua nga trupa e juristëve.
Por, si argument kryesor avokati kishte pretendimin se një dënim i tillë mund të kthehej në një lojë të rrezikshme për fushatën zgjedhore.
“Nëse do ta dënonim drejtorin për rast të tillë ju garantoj se mund të bëhet praktikë. Kushdo që mund të ketë mëri me një drejtor institucionesh të tjera mund të dalë me një kandidat apo deputet të bëje një foto dhe ta postoj. Pra, nuk besoj se do të jetë praktikë e mirë. Unë mendoj se kaq sa është bërë publicitet me këtë rast është bërë sensibilizimi që nuk duhen të bëhen veprime të ndaluara”, tha avokati Arben Qalliu.
Ankues në këtë proces ishte edhe Lëvizja Socialiste për Integrim e cila pretendoi se gjoba prej 1500 lekësh ishte e pamjaftueshme ndërsa pjesë e dënimit duhet të jetë edhe deputeti Bujar Çela.
“Për të dhënë një shembull që dënimi i atyre personave, të cilët abuzojnë me detyrën, të cilët shpërdorojnë funksionet shtetërore, të cilët shpërdorojnë taksat e taksapaguese është qëllimi kryesor”, tha Altin Kaziaj.
Ky ishte vendimi i parë i Komisionit të Ankimeve dhe Sanksioneve dhe u mor jo në unanimitet, por me shumicë votash. (A2 Televizion)