
Në pritje të vendimit të Kushtetueses mbi shkarkimin e tij, presidenti Ilir Meta duket gjithmonë e më aktiv. Sipas analistit Lutfi Dervishi, ky është tregues i një nervozizmi te tij mbi verdiktin final.
“Më ka bërë përshtypje prezenca e shtuar e Metës në media, me mënyrën që avokatët e tij në Kushtetuese kërkuan largimin e disa gjyqtarëve, me paditë, domethënë që presidenti ndjen se vendimi i Kushtetueses mund të jetë kundër tij. Vetë fakti i padisë penale të së nesërmes tregon që nuk e ka shumicën në Gjykatën Kushtetuese”, thotë ai në emisionin “Debat”, në A2 CNN.
Sipas tij, “jemi në fazën finale, Meta përveç betejës në Gjykatë, po tenton të fitojë edhe betejën në publik, prandaj edhe konferenca e tij e sotme. Ka një betejë juridike, por edhe një betejë politike. Mazhoranca ka shprehur vullnetin që nuk do ta shohë këtë president, me dy komisione hetimore për ta shkarkuar. Është rast i pazakontë, për shkak të situatës së pazakonte në Shqipëri. Presidenti është normalisht shumë i mbrojtur nga Kushtetuta, është çudi e madhe 2/ 3 që një koalicion të arrijë 2/3 e votave, kjo varet nga vendimi i opozitës për të dalë nga sistemi”.
Dervishi shton se në fillimin e mandatit presidencial, kishte pritshmëri të mëdha për rolin e Ilir Metës, “për eksperiencën e tij politike, kryeministër, kryetar parlamenti, mendohej se do të ishte një nga presidentët më të mirë, ndërkohe që ai nuk iu përmbajt frymës kushtetuese”.
I gjithë ky angazhim, gjithsesi, sipas analistit mbetet i pajustifikuar, duke parë rrethanat në të dy variantet e mundshme të vendimit të Kushtetueses, dhe mandatin presidencial që është gjithsesi drejt fundit.
“Le të supozojmë që Kushtetuesja e lë në detyrë presidentin, qeveria sidoqoftë do ta lexonte si fitore, si dëshmia e një institucioni të pavarur. Në rast shkarkimi, mazhoranca do të konfirmonte drejtësinë e vendimit të ndërmarrë. I humbur është opinioni publik, thjesht do të tregohet në qoftë se politikani Ilir Meta do të jetë aktiv tani apo në vjeshtë”, shton ai. (A2 Televizion)