
Presidenti Ilir Meta lexoi përgjigjen që ka dhënë në Gjykatën Kushtetuese kur është pyetur për deklaratat e forta që ka bërë përpara zgjedhjeve, ku ka përdorur shprehje si “ndëshkoni pa mëshirë në 25 prill atë që ju bën presion për votën” apo “po u prek një votë, do të pritet një dorë”.
Sipas Metës, këto janë metafora dhe Gjykata Kushtetuese nuk duhet të merret me të tilla deklarata.
“Shprehje si “merrni sfurqet”, “nëse derdhet një pikë gjaku apo një pikë loti, mjerë ju”, “ndëshkoni pa mëshirë në 25 prill atë që ju bën presion për votën”, “po u prek një votë, do të pritet një dorë” janë metafora, epitete, alegoritë dhe figurat e tjera letrare do të ishin objekt interesi për gjuhëtarët dhe filologët, por jo për Gjykatën Kushtetuese. Por, në funksion të transparencës, ju kujtoj se fushata zgjedhore u tensionua në nivele ekstreme për shkak të aktorëve politikë, duke kulmuar edhe me humbje jete, si rasti i Elbasanit. Në një situatë kaq të rëndë, ishte vetëm Presidenti i cili mbajti qëndrime të vazhdueshme për të dekujaruar përshkallëzimin e tensionit”, u shpreh Meta.
“Deklaratat dhe denoncimet publike të Presidentit kanë qenë në proporcion të drejtë me situatën shumë të rëndë parazgjedhore, në funksion të daljes jashtë kontrollit”, shtoi Meta. (A2 Televizion)