Dështojnë bisedimet për Brexit, May nuk arrin marrëveshje me opozitën laburiste

Nga A2 CNN
17 Maj 2019, 20:13 | Bota
Dështojnë bisedimet për Brexit, May nuk arrin marrëveshje me

Brexit futet dhe më tepër në kaos. Bisedimet mes qeverisë së kryeministres britanike Theresa May dhe opozitës laburiste u ndërprenë pasi ata dështuan të arrinin një marrëveshje.

Lideri Jeremy Corbyn tha se negociatat shkuan aq larg sa mund të shkonin dhe se dy palët nuk mundën të eliminonin diferencat e mëdha politike mes tyre.

Bisedimet, të cilat zgjatën rreth dy muaj, u shndërruan në një përpjekje për t’u dakordësuar rreth një plani për Brexit, i cili duhej të aprovohej nga parlamenti i përçarë i Mbretërisë së Bashkuar. Corbyn, në një letër dërguar kryeministres May, shkruan se negociatat nuk mund të vazhdonin për shkak të dobësive dhe instabilitetit të qeverisë.

“Dëshiroj të bëj të qartë se pandryshime rrënjësore, ne do të vazhdojmë të kundërshtojmë marrëveshjen e qeverisë, pasi nuk besojmë se ruan vendet e punës, standardet e jetesës dhe industrinë prodhuese në Britani”, tha Jeremy Corbyn, lider i partisë laburiste.

Për këtë zhvillim reagoi dhe qeveria e drejtuar nga May që njofton se pati progres në disa fusha. Për dështimin e bisedimeve, Downing Street akuzon opozitën duke theksuar se ishin shumë sfidues në kërkesat e tyre.

Partitë politikë do të diskutojnë një sërë opsionesh për t’i dërguar për votim. May ka premtuar caktimin e një date për dorëheqjen e saj, pas votimit për Brexit me 3 qershor. Me situatën aktuale, plani i kryeministres për largimin nga Bashkimi Europian do të refuzohet sërish nga shumica e ligjvënësve britanikë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos