
Dhuna ndaj arbitrit të ndeshjes i ka kushtuar shtrenjtë Shkumbinit. Pas ngjarjeve të mesit të dhjetorit, në sfidën e barazuar në shtëpi ndaj Dinamos, Komisioni i Disiplinës e përjashtoi klubin peqinas nga kampionati, duke e zbritur edhe në Kategorinë e Dytë.
I njëjti vendim u konfirmua tashmë edhe nga Komisioni i Apelit, i cili nuk i pranoi argumentet e klubit, duke konfirmuar masat e forta disiplinore ndaj dhunës në fushat e sportit.
Në këtë mënyrë, Shkumbini mbetet jashtë kampionatit, gjobitet me 500 mijë lekë të reja dhe do ta nisë sezonin tjetër nga niveli i tretë i futbollit në Shqipëri.
Alternativa e vetme e peqinasve, e theksuar edhe në vendimin e Apelit, mbetet ankimimi në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë, edhe pse duket e vështirë që mes të gjithë problemeve financiare dhe sportive, klubi ta vazhdojë betejën në CAS. (A2 Televizion)