
Policia e Tiranës ka arrestuar në flagrancë presidentin e klubit të futbollit Kastrioti, Alban Vogli dhe drejtorin teknik Gazmend Vogli për incidentet që u shënuan ditën e shtunë gjatë ndeshjes së futbollit Tirana-Kastrioti.
Presidenti i Kastriotit dhe drejtuesi tjetër i saj, gjatë zhvillimit të ndeshjes Tirana – Kastrioti, hynë në fushën e lojës duke shkaktuar tension dhe ndërprerjen e ndeshjes për disa minuta dhe më pas kanë goditur dy punonjës policie për të shmangur shoqërimin e tyre.
Dy të arrestuarit akuzohen për “Kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik” e kryer në bashkëpunim, dhe “Veprime të dhunshme në aktivitete sportive” të kryera në bashkëpunim.
Tirana fiton 1-0 mes polemikave me Kastriotin. Shkak u bë goli i Hoxhallarit, teksa gjatë aksionit një lojtar i krutanëve ishte i shtrirë në tokë.
Ky episod bëri që të regjistroheshin përplasje, me drejtuesit e Kastriotit që hynë në terrenin e lojës, ndërsa loja u ndërpre edhe për disa minuta pasi ekipi mik braktisi fushën.
Tensioni vijoi edhe në tunelin që dërgon ekipet drejt dhomave të zhveshjes. (A2 Televizion)