
Presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se mospranimi i fajit nga Serbia për gjenocidin e kryer mbi shqiptarët, po mban peng dialogun. Gjatë një seance, kryeparlamentarja tha përpara përfaqësuesve të shoqatave të familjarëve të personave të pagjetur se Kosova nuk mund të heshtë e të ndalet së kërkuari paqe. Ajo u shpreh se të zhdukurit, vazhdojnë të jenë historia më e trishtë e vendit.
“Ne nuk mund të heshtim e nuk do të reshtim së punuari që paqja të mbretërojë në të gjitha hapësirat që jetojmë sepse ky është interesi i qytetarëve tanë e interes ynë strategjik. E paqja është e mundur vetëm atëherë kur thuhet dhe pranohet e vërteta, e vërteta e vetme e cila nuk mund të ndryshojë kurrë e as të përmbyset, është ajo që ka ndodhur para syve të të gjithë botës, e vërteta e vetme e që nuk mund të përmbyset është që Serbia kreu gjenocid kurse ne ishim viktima të këtij gjenocidi”, u shpreh Osmani.
Osmani shtoi se me Serbinë do të ketë dialog vetëm për njohje të ndërsjella. Ndërsa theksoi se fshehja e informacioneve nga Beogradi, lidhur me vendndodhjen e trupave të shqiptarëve të zhdukur, është vazhdim i krimit sistematik që Serbia po vazhdon të kryejë.
“Jemi të vendosur që të dialogojmë vetëm për njohjen e ndërsjellë, vetëm duke respektuar integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit, duke njohur dhe pranuar paprekshmërinë e territorit, rregullimin kushtetues dhe nivelin e organizimit të brendshëm, por mbi të gjitha duke kërkuar me ngulm që Serbia ta pranojë peshën e fajit historik, a është Serbia e gatshme, jo, madje një jo e madhe, asnjë nga liderët e serb nuk ishte i gatshëm të bëjë atë që e bëri ish-kancelari gjerman para 50 vitesh, të kërkojë falje e të përkulet para viktimave që i shkaktoi ai regjim, ta bëjë atë që e bën një qenie njerëzore kur dhimbja nuk mund të përshkruhet me fjalë, pra të përkulet para viktimave”.
Edhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, pati një deklaratë në ditën ndërkombëtare të përkujtimit dhe nderimit të viktimave të gjenocidit. “Bota e di çfarë̈ ka ndodhur këtu; e di mirë kush ka qenë agresori, e kush viktima!”, thekson Hoti duke i kërkuar Serbisë që të kërkojë falje për krimet dhe gjenocidin e kryer në Kosovë. (A2 Televizion)