“Dialogu me Serbinë duhet të përfundojë me njohje reciproke”, Kurti bisedë me Merkel: Mbështetje për vizat dhe patentat

Nga A2 CNN
17 Maj 2021, 22:16 | Kosova
“Dialogu me Serbinë duhet të përfundojë me njohje

Liberalizmi i vizave, dialogu me Serbinë dhe njohja e patentave të Kosovës në Gjermani ishin disa nga çështjet që kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka diskutuar me kancelaren gjermane Angela Merkel gjatë një takimi virtual.

Në njoftimin e shpërndarë nga vetë Kurti në rrjetet sociale, ai shprehet se ka marrë mbështetje nga kancelarja gjermane sa i takon liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

“Kosova i ka përmbushur kriteret për liberalizim dhe Gjermania mund të ndihmojë ta shtyjë këtë çështje përpara. Në takim, mora konfirmimin e kancelares Merkel për mbështetjen e Gjermanisë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës”.

Sa i takon dialogut me Serbinë, Kurti thekson se ka rënë dakord me kancelaren gjermane për një proces të drejtë që të përfundojë me njohje reciproke, ndërsa shton se pavarësia e Kosovës dhe integriteti i saj territorial nuk mund të jenë temë e bisedimeve.

“Në lidhje me dialogun me Serbinë, u pajtuam se ai duhet të jetë dialog i drejtë, i ndërtuar mbi mirëbesim dhe që për rezultat duhet të ketë njohjen reciproke, kurse shtova se pavarësia e Kosovës dhe integriteti i saj territorial nuk mund të jenë temë e bisedimeve, nuk mund të kthehemi para vitit 2008”.

Kurti ka theksuar nevojën për bashkëpunim ekonomik dhe tregtar, i cili duhet të shkojë paralel me demokratizimin e rajonit.

“Biseduam edhe për Procesin e Berlinit dhe rëndësinë e tij në nxitjen e bashkëpunimit rajonal. Në pritje të Samitit të Berlinit, që pritet të mbahet në fillim të korrikut, theksova se rajoni ka nevojë për bashkëpunim ekonomik dhe tregtar, por jo për projekte si zëvendësim i BE-së. Bashkëpunimi ekonomik duhet të shkojë paralel me demokratizimin e rajonit”.

Gjatë bisedës, Kurti ka siguruar kancelaren Merkel për përkushtimin në realizimin e planeve për reforma në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe angazhimin për tërheqjen e investimeve, ndërsa ka marrë mbështetje nga kancelarja për njohjen e patentës së shoferëve të Kosovës.

“Sigurova kancelaren Merkel për përkushtimin tonë në realizimin e planeve për reforma në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe angazhimin për tërheqjen e investimeve, të cilat krijojnë vende të reja të punës nëpërmjet përfshirjes së afaristëve gjermanë dhe mërgatës së madhe shqiptare që jeton në Gjermani. Në diskutimet për mërgatën e Kosovës në Gjermani, kancelarja theksoi se është duke shikuar me vëmendjen e duhur çështjen e njohjes së patentë-shoferëve të Kosovës”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos