
Këto nuk janë pamje arkiv të viteve më parë, por janë mënyra se si qindra banorë të 5 fshatrave të Njësisë Administrative Mollas në bashkinë e Ersekës luajnë me fatin e tyre për të siguruar shërbimet dhe nevojat që kanë për t’u lidhur me qytetin.
Prej 5 vitesh kjo urë 300-vjeçare që dikur ishte monument kulture, mbi lumin Osum është shkatërruar plotësisht dhe në gërmadhat e saj, banorët sajojnë pasarela për të mundësuar kalimin.
Tregimet e banorëve se si mundohen të kalojnë gërmadhat e urës ngjasojnë më shumë si legjenda.
Natyrisht që rastet më të vështira janë emergjencat shëndetësore, të cilat përballohen nga infermieria e zonës.
Në çdo fushatë elektorale të 5 viteve të fundit nuk kanë munguar premtimet e rindërtimit të saj, por realiteti tregon se premtimet i ka marrë lumi Osum.
E nëse në këtë periudhë banorët rrezikojnë për të kaluar, disa ditë më vonë me shtimin e reshjeve dhe prishjen e motit fshatrat e Njësisë Administrative të Mollasit bllokohen plotësisht, ndërsa pushteti lokal që nuk nguron të ndezë dritat e festave në qendrat urbane, duket se këtë zonë e llogarisin vetëm si numra për zgjedhjet e radhës. (A2 Televizion)