“Dikush brenda partisë po u dërgon mesazhe demokratëve kundër zgjedhjeve”, Sefa: Do i çojmë në Prokurori

Nga A2 CNN
27 Korrik 2023, 15:28 | Politikë
“Dikush brenda partisë po u dërgon mesazhe demokratëve

Sekretari për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore, Indrit Sefa ka denoncuar pa emra, se njerëz brenda vetë Partisë Demokratike po u dërgojnë mesazhe në celularë demokratëve kundër zgjedhjeve të 29 korrikut, ku pritet të zgjidhet kryetari i ri. Ai i paralajmëron se rastet do të referohen në prokurori, duke thënë se përgjegjësi do të vihet përpara drejtësisë.

“Ata që vazhdojnë të ëndërrojnë që të mbajnë peng dhe dëmtojnë PD, kane ndërmarrë këto dy ditë një fushate dezinformimi.

Përmes call center janë shpërndarë në qytete të ndryshme disa mesazhe që nuk kanë asnjë lidhje me PD, por që u dërgohen anëtarëve të PD në kuadër të fushatës dezinformuese qe vazhdon me qëllim për të bërë pis procesin zgjedhor për kryetar të PD.

Rastet do të referohen në organet kompetente për një hetim dhe vënien para përgjegjësisë të të gjithë atyre që kanë ndërmarrë një fushatë të tillë.

29 Korriku është një ditë e rëndësishme për  demokratët që presin zgjedhjen e kryetarit, organizimin, ringritjen dhe shndërrimin e PD në alternativën që presin shqiptarët”, shkruan Sefa.

Në Partinë Demokratike ka nisur një luftë e re, kësaj here brenda kampit të drejtuar më herët nga Enkelejd Alibeaj. Pas largimit të këtij të fundit, Kryesia dhe Gazment Bardhi janë në një luftë të ashpër me njëri-tjetrin, ku të parët kërkojnë që të mbahen zgjedhjet, e ndërsa i dyti është kundër me argumentin se ky proces nuk do jetë gjë tjetër veçse një rikthim i Lulzim Bashës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos