
Pas shumë përplasjeve në distancë për udhëheqjen e delegacionit të Kosovës në dialogun me Serbinë, presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri, Avdullah Hoti u takuan ballë për ballë.
Por edhe kjo bisedë mes tyre, duket se nuk ka arritur të zgjidhë situatën. Kreu i shtetit pohoi sërish se Kushtetuta e përcakton qartë se kush do ta drejtojë ekipin e Kosovës në bisedimet për normalizim me Serbinë.
Të njëjtin pretendim pati edhe kryeministri Hoti, i cili kërkoi dhe konsensus të gjerë politik për rifillimin e bisedimeve me Beogradin. Gjithashtu theksoi se kjo është një javë shumë e rëndësishme për Kosovën.
Presidenti Thaçi komentoi vizitën e përfaqësuesit të Bashkimit Europian, Miroslav Lajçak për dialogun me Serbinë, duke theksuar se nuk është njoftuar akoma për agjendën. Për këtë arsye nuk konfirmoi nëse do ta priste atë në zyrë apo jo. (A2 Televizion)