
Shënohet viktima e 33 nga pandemia e koronavirusit në Kosovë. Një e moshuar nga Prizreni, e cila kishte pasur dhe sëmundje shoqëruese, ndërroi jetë në repartin e Mjekimit Intensiv në Klinikën Infektive, sipas një njoftimi të autoriteteve shëndetësore.
Në ditët e fundit është regjistruar dhe një shtim i rasteve të reja me Covid-19, ku vetëm në 24 orët e fundit u raportuan 53 të tillë. Në total, që prej shpërthimit të virusit pandemik, në Kosovë janë prekur mbi 1400 persona nga Covid-19. Nga këta, 928 janë shëruar.
Pavarësisht kësaj situate, Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka bërë të ditur që masat nuk do të rikthehen. Sipas tij, qytetarët duhet të ndërgjegjësohen. Gjithashtu, bëri me dije se ditët në vijim do të bëhen testime masive. (A2 Televizion)