
18 milionë njerëz në botë, ose 32%, vdesin nga sëmundjet kardiovaskulare. Këtë statistikë dha në studion e “Dita jonë”, mjekja kardiologe, Daniela Tefereçi, në ditën botërore të zemrës.
Sipas saj, edhe në Shqipëri shkaku kryesor i vdekjeve janë sëmundjet kardiovaskulare dhe kryesisht ataku kardiak, ndërsa bën apel për ndërgjegjësim.
“Shqipëria shkakun kryesor të vdekjeve e ka nga sëmundjet kardiovaskulare. Ndërgjegjësimi është shumë i rëndësishëm për të njohur se çfarë të dëmton”.
Mjekja thekson se shkaqet kryesore për sëmundjet e zemrës janë duhanpirja, jeta sedentare dhe mënyra e të ushqyerit, ndërsa sugjeron, kontroll dhe aktivitet fizik.
“Duhanpirja, jeta sedentare, mënyra e të ushqyerit, janë shkaqet kryesore. Mos pi duhan, të merremi me aktivitetin fizik dhe është një nga gjërat që mund të sjellë benefite dhe një nga gjërat më të mira për veten tonë. Dy orë në javë të merren me aktivitet sportiv të moderuar. Një person që vuan me hipertension duhet ta mjekojë atë. Dhimbje e kokës, takikardi, skuqje në fytyrë janë simptomat. Yndyrat e larta janë rrezik që duhen trajtuar. Mbi 20 vjeç, individi duhet të kontrollojë yndyrat në gjak”.
Për mjeken Tefereçi, Covid shtoi trombozat edhe te personat që nuk vuanin nga zemra. (A2 Televizion)