Dita e të Drejtave të Njeriut, mesazhi i Metës: Të gjithë bashkë kundër çdo lloj tendence autokratike

Nga A2 CNN
10 Dhjetor 2020, 10:32 | Politikë
Dita e të Drejtave të Njeriut, mesazhi i Metës: Të

“Liri do të thotë epërsi e të drejtave të njeriut kudo. Mbështetja jonë shkon për ata që luftojnë për të fituar ato të drejta dhe për t'i mbajtur ato. Forca jonë është uniteti i qëllimit të përbashkët. Për atë koncept të lartë nuk mund të ketë fund përveç fitores". Me këto fjalë të Franklin Delano Roosevelt, presidenti Ilir Meta ka zgjedhur të përkujtojë Ditën e të Drejtave të Njeriut.

Në një postim në Facebook, kreu i shtetit është shprehur se lufta për mbrojtjen e lirisë dhe të drejtave të njeriut është një proces i pandalshëm, veçanërisht në kushtet e pandemisë COVID-19.

“Dita e të Drejtave të Njeriut, na kujton sot se lufta për mbrojtjen e tyre është një proces i pandalshëm dhe se ende ka shumë për të bërë për garantimin e plotë të tyre, veçanërisht në kushtet e pandemisë COVID-19, kur nën justifikimin e masave parandaluese janë ligjëruar edhe masa shtrënguese, që në praktikë kufizojnë së tepërmi liritë dhe të drejtat tona”.

Duke përsëritur thirrjen e disa ditëve më parë “Koha për restart”, presidenti apeloi për bashkim kundër çdo lloj tendence autokratike.

“Sot më shumë se kurrë, duhet të jemi të gjithë bashkë, kundër çdo lloj tendence autokratike, që vë në rrezik sistemin demokratik të vlerave dhe të drejtave që duhet të gëzojë çdo shqiptar. KOHA PËR RESTART! Së bashku do t'ia dalim se rrugë tjetër nuk mund të ketë!”.

Kreu i shtetit theksoi se, pavarësisht sfidave që po kalon shoqëria, nuk duhet të lejojmë heqjen dorë nga ushtrimi i plotë i të drejtave themelore, që i garanton Kushtetuta, veçanërisht nga përkushtimi për të garantuar të drejtën e jetës për të gjithë ata të cilët kanë nevojë për kujdesin e domosdoshëm shëndetësor në këto momente të vështira.

“Të drejtat dhe liritë themelore nuk janë vetëm koncepte të shkruara në letër. Ato janë të drejta absolute, që kushdo, pa asnjë dallim, ka detyrimin t'i respektojë dhe mbrojë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos