Dita e të pagjeturve, homazhe dhe thirrje për drejtësi në Kosovë

Nga A2 CNN
30 Gusht 2020, 19:32 | Kosova

Kosova kujtoi mbi 1600 të zhdukurit e saj, në ditën ndërkombëtare të personave të pagjetur. Kryeministri Avdullah Hoti zhvilloi homazhe tek obelisku i personave të pagjetur në Prishtinë, ku vendosi edhe një tufë me lule.

Për presidentin Hashim Thaçi, çështja e të pagjeturve në Kosovë është turp i bashkësisë ndërkombëtare. Kreu i shtetit kërkoi që kjo e fundit të shfrytëzojë çdo mjet në dispozicion për të ushtruar presion ndaj Serbisë për zbardhjen e fatit të të gjithë personave që mbetën të zhdukur.

Gjithashtu kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani bëri thirrje për të hedhur dritë mbi fatin e 1643 personave, për të cilët siç thotë nuk është bërë asgjë gjatë 21 viteve të fundit. Përgjegjësia bie mbi çdo politikan, ndërsa pesha e fajit, mbi shtetin serb, shkruan Osmani në Facebook.

Busti i senatorit Bob Dole u përurua në Prishtinë

Ndërkaq, misioni i Bashkimit Europian për sundimin e ligjit, EULEX u kërkoi të afërmeve të të  pagjeturve të ofrojnë mostrat e gjakut, për të mundësuar përfundimin e procesit të identifikimit të eshtrave që gjenden në morgun e Prishtinës.

Kosova përkujtoi gjithashtu 30-vjetorin e vizitës së senatorëve amerikanë me në krye Bob Dole, duke përuruar një pllakë përkujtimore në sheshin Zahir Pajaziti dhe një bust të senatorit Dole në lagjen Dardania. Ministrja e punëve të jashtme dhe diasporës Meliza Haradinaj Stublla, tha se kjo do të jetë kujtesa kolektive e ditës kur bota nuk heshti më. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos