
Pas shumë polemikash dhe diskutimesh jashtë fushës së tenisit, më në fund sportisti serb, Novak Djokovic, është rikthyer të luajë tenis.
34-vjeçari debutoi këtë sezon në turneun ATP të Dubait, ku mori një fitore të pastër përballë italianit Lorenzo Mussetti. Edhe pse për një kohë të gjatë larg fushave, Djokovic mbylli gjithçka me rezultatin 6-3, 6-3 në duelin e parë pas përjashtimit nga Australian Open.
Ky turne nuk detyronte vaksinimin e sportistëve, për këtë arsye, pjesëmarrja e Novak Djokovic ishte dhe më e thjeshtë. Megjithatë, e ardhmja e tij mbetet në dyshime pasi sportisti sërish i qëndron besnik vendimit të tij se nuk do ta kryejë vaksinën dhe se do të marrë pjesë vetëm në kompeticione që nuk e aplikojnë këtë masë.
“Nuk mund të bëj ende një kalendar komplet të eventeve ku do të luaj. Gjithnjë kam dhënë më të mirën në grand Slam apo turnetë Masters, pasi janë kompeticionet që më motivojnë më shumë. Gjithsesi, këtë vit situata ka ndryshuar dhe nuk mund të zgjedh se ku do të luaj. Këtë vit do të luaj vetë, aty ku do të kem mundësi, ku vaksinimi nuk është i detyrueshëm. Do të luaj aty ku më lejojnë të shkoj”, tha tenisti.
Ky ishte dueli i parë i Novak Djokovic për vitin 2022, që pas përjashtimit të tij nga Australian Open. (A2 Televizion)