Përfundon Olimpiada dimërore “Pekin 2022”. Pas më tepër se dy javësh me emocione të jashtëzakonshme në 15 disiplina të ndryshme, sportistët i dhanë lamtumirën Kinës, me ceremoninë e zhvilluar në stadiumin kombëtar.
Pekini është i vetmi qytet në histori që ka organizuar dy edicionet e Lojërave, në verë dhe në dimër. Gjithashtu, drejtori i filmit Zhang Yimou hyn në histori si njeriu i parë që zhvillon ceremonitë hapëse dhe mbyllëse dy herë në të njëjtin qytet, pas edicionit të vitit 2008.
Përsa i takon medaljeve të fituara, Norvegjia u rendit e para, me 16 të arta, 8 argjendi dhe 13 bronzi. Podiumi u plotësua nga Gjermania dhe Kina. Shtetet e Bashkuara u pozicionuan vetëm në vendin e katërt, teksa atletët rusë, me flamurin e Komitetit Olimpik, ishin të nëntët.
Kryeqyteti kinez i lë stafetën edicionit veror të Olimpiadës, që do të zhvillohet në Paris, në vitin 2024. Në anën tjetër, edicioni i radhës i Lojërave Dimërore do të zhvillohet në Milano, në vitin 2026. (A2 Televizion)