Miqtë dhe kolegët e aktorit Xhevdet Feri, i cili ndërroi jetë pasditen e sotme pas një sëmundjeje të rëndë, kanë shprehur ngushëllimet e tyre dhe i kanë bërë homazhe aktorit të mirënjohur shqiptar.
Regjisori Bujar Alimani shkruan në rrjetet sociale: “RIP Xhevdet Feri! E bëre premierën e fundit parmbrëmë me një kryerol!! LAMTUMIRË!”
“Delegacioni” është filmi i fundit që ka xhiruar Xhevdet Feri, me regji pikërisht të Bujar Alimanit.
Ndërkohë, Zamira Kita shkruan: “Lamtumirë, mik i dashur, Xhevdet Feri! Do të mbetesh i paharruar”.
“Xhodë Feri, aktor, mik, baba, bashkëshort... një largim sa i parakohshëm, aq i padrejtë”, lexohet në mesazhin e Adi Krastës.
Një mesazh ngushëllimi vjen edhe nga Kosova, ku “PriFest” shkruan në faqen e saj zyrtare në Facebook: “Me pikëllim të thellë morëm lajmin për vdekjen e mikut, kolegut dhe bashkëpunëtorit tonë Xhevdet Feri. Jemi krenarë që e njohëm dhe që në edicionin e 3-të të festivalit udhëhoqi platformën regjionale Prishtina Film FORUM. Ngushëllime familjes, miqve dhe gjithë kineastëve shqiptarë. Faleminderit Xhoda!”. (A2 Televizion)