
“Nuk ka krushk që anulon dasmën me Bashkimin Europian”, u përgjigj kryeministri Edi Rama kur u pyet nga gazetarët, nëse do të kishin ndonjë qasje tjetër ndaj BE-së sa i takon procesit të integrimit, të cilin edhe vetë përfaqësuesi i lartë i BE-së e pranoi që ishte i ngadaltë për rrethana që nuk kanë të bëjnë me vendet kandidate. Kryeministri Rama e ka krahasuar këtë proces me martesën dhe thotë se Shqipëria është gati të martohet në çdo kohë, sapo BE-ja të jetë gati.
“Nuk di këtë traditën që anulon dasmën, por po t’i shkoj kësaj dhe ta marr të mirëqenë, këtu s’ka krushk që anulon dasmën se ne jemi në dashni të madhe me Europën dhe forca e dashurisë bën që ne jemi gati për t’u martuar në momentin që Europa do të thotë që jam edhe unë gati. Se flitet për bisedime për anëtarësim, pra bisedime për martesë. Deklaratat e dashurisë i meritojmë se jemi për t’u dashur, por përgatitje për martesë siç kemi bërë nuk do të bëjmë më, se këta jo se nuk duan të martohen, por nuk kanë kohë të martohen kur të jenë gati nuk do ketë festë e fishekzjarrë, por një martesë e pakonsumuar akoma”.
I pyetur nëse do të ketë një datë konkrete për konferencën ndërqeveritare me Shqipërinë, duke pasur parasysh vullnetin që BE-ja tregoi ndaj Ukrainës, Borrell tha se Brukseli reagoi kundër pushtimit dhe nuk është e njëjta gjë me Shqipërinë, por pranoi ngadalësimin e këtij procesi për rrethana që nuk kanë të bëjnë me vendet kandidate.
“Të thuash që një vend duhet të pushtohet që të bëhet vend kandidat është thjeshtim i realitetit kompleks, ne reaguam kundër pushtimit, mobilizuam popuj, njerëz e sanksione, me Ukrainën kemi marrëveshjen më të fortë të stabilizim asociimit se me çdo vend tjetër. Kemi investuar shumë para në Ukrainë dhe është normale që ndjemë shqetësim. Kjo ka të bëjë me rendin dhe të drejtat e njeriut në të gjithë botën dhe ne paralajmëruam Putinin se do të ndeshej me sanksionet më të forta dhe e mbajtëm premtimin dhe nuk ka të bëjë me shpejtësinë e procesit të zgjerimit me shtetet të tjera, por me situatën e përgjithshme politike në Europë. Është rritur ndërgjegjësimi për shpejtimin e procesit, i cili ishte ngadalësuar për rrethana që nuk kanë të bëjnë me vendet kandidate. Ne do të na duhet të vazhdojmë mbështetjen tonë ndaj Ukrainës. Kjo do të dojë kohën e vet. Ka vende të tjera që kanë pritur dhe kanë përmbushur dhe tashmë ka ardhur koha që këto aktivitetet të funksionojnë si katalizatorë për këto çështje. (A2 Televizion)