
Analisti Lutfi Dervishi u shpreh në Debat nga Alba Alishani se çmimet e rritura janë një rezultat i spekulimit për shkak të panikut të përhapur nga Rama.
Ai theksoi se çmimet në Shqipëri janë sipas standardeve të BE, ndërsa rrogat si në Afrikë.
“Paketa e rezistencës është rezultat i rezistencës që ka ndeshur në sheshe, në rrjetet sociale dhe i rezistencës që dëgjon njerëzit kudo që flasin. Qeveria shqiptare është e fundit që ka reaguar për krizën, ndoshta është e fundit pasi ende nuk e ka kuptuar krizën dhe ende nuk e ka lexuar protestën. Çmimet janë një rezultat i spekulimit për shkak të panikut. Paniku është përhapur nga kryeministri duke thënë që do të kemi luftë. Nëse jemi në luftë, lufta ka kostot e veta. Kjo situatë më kujton javën e parë të pandemisë, atëherë kur media thoshte java e ferrit dhe nxorëm edhe tanket. Rama nuk po lexon dot situatën, çmimet janë me standardet e BE rrogat janë me standardet e Afrikës”, tha Dervishi.
Më tej, Dervishi u shpreh se protesta ka arritur shumë, duke zgjuar nga gjumi qeverinë. “Për herë të parë, kryeministri ka më shumë komente negative se pozitive, kur llogaritet edhe administrata. Ai e shikon këtë gjë, por është i vetëm, nuk i funksionon shteti. Qeverinë nuk e kemi për të menaxhuar krizat, por të mos u futur në krizë”, tha Dervishi. (A2 Televizion)