
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Joseph Borrell, pranoi ngadalësimin jo vetëm në procesin e zgjerimit nga ana e BE-së, por edhe të mbështetjes financiare ndaj vendit tonë gjatë periudhës së pandemisë. Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama në Tiranë, kur u pyet nëse BE-ja do të jepte mbështetje financiare ndaj vendit tonë për shkak të krizës në Ukrainë ai u përgjigj:
“Gjatë pandemisë e mbështetëm Shqipërinë. Në fillim ishim të ngadaltë në mbështetjen tonë. Imagjinoni një plan nga këndvështrimi ekonomik i luftës, ky plan do të përfshijë patjetër Ballkanin Perëndimor, por mos mendoni që do të jetë një plan ekonomik për t’i dhënë përgjigje brenda natës çdo lloj sfide të mundshme. Udhëheqësit po diskutojnë këto çështje dhe ne po hapim kapacitete tona ekonomike e financiare për t’iu përgjigjur kësaj krize që nuk është vetëm për Shqipërinë, por për Brukselin dhe ndërprerjen që ka krijuar lufta në qarqet ekonomike dhe për këtë duhen kapacitete të bankave dhe kapacitete investuese të shteteve anëtare”.
Për kreun e qeverisë shqiptare, rritja e çmimeve është një armë e Rusisë kundër qeverive, por sipas tij Brukseli ka të gjitha kapacitetet për ta neutralizuar.
“Ngritja e çmimeve është armë që Rusia kërkon ta përdorë kundër nesh, kundër opinioneve publike që qeveritë të cedojnë, jo për Ukrainën në vetvete, por për të garantuar të ardhmen e të gjitha vendeve që janë në radhë pas Ukrainës dhe për të shmangur një Luftë të Tretë Botërore. Këtë armë që Kremlini po e përdor, ne duhet ta neutralizojmë me shumë durim, vendosmëri e qartësi që kjo nuk është luftë që nuk na përket, por na përket tërësisht se është një luftë për të mbrojtur si shqiptarë dhe për të mos u kthyer atje. Është një luftë për të mos lejuar që forca ruse të shtrihet përtej duke ardhur deri këtu. BE-ja ka të gjithë mundësitë për të neutralizuar këtë armë të Rusisë”.
I pyetur në lidhje me akuzat e Moskës se Shqipëria dhe Kosova furnizojnë Ukrainën me mercenarë, Rama tha se këto akuza të pabaza dhe shumë shqetësuese.
“Akuzat se Shqipëria furnizon me mercenarë bashkë me Kosovën është e pabazë, por edhe shqetësuese, megjithatë ne po e ndjekim me shumë vëmendje edhe këtë aspekt dhe dua ta falënderoj përfaqësuesin e BE-së për këtë vizitë dhe për gatishmërinë që në rast se gjërat vazhdojnë kështu edhe për një apo dy muaj, BE-ja do të detyrohet të bëjë diçka për të mbështetur vendet në vetvete e njerëzit dhe nëse do ta bëjë këtë, patjetër që duhet ta përfshijë Ballkanin Perëndimor si pjesë të këtij plani”. (A2 Televizion)