
Gjykata e Tiranës ka liruar nga qelia Astrit Carën dhe Besnik Balani, të cilët u arrestuan pas protestës të së hënës. Për Carën e Balanin u caktua masa e kërkuar nga prokuroria, ajo e "detyrimit për paraqitje".
Komisioni i Rithemelimit të PD-së e ka konsideruar arrestimin e tyre politik, ndërsa kanë theksuar se për ata nuk ka asnjë provë që përbën vepër penale.
“I bëjmë me dije Edi Ramës dhe gjithkujt që ndodhet pas tij se protestat që kanë filluar, nuk do të ndalen. E përshëndesim qëndrimin e gjykatës, por arrestimi është i paligjshëm. Nuk ka prova për dy qytetarët. Inkurajojmë që hetimin ta bëjnë në mënyrë objektive”, u shpreh Vokshi. Ndërsa Klevis Balliu, e ka cilësuar arrestimin e tyre politik, pasi djegia e flamurit nuk është krim.
Të njëjtin qëndrim mbajti edhe Çlirim Gjata theksoi se ndaj këtyre personave nuk kishte asnjë provë për vepër penale.
“Sa i takon anës ligjore, gjykata dhe prokuroria nuk gjetën asnjë provë se prova është rrezikshmëria. Këta janë akuzuar për nxitje të urrejtjes. Djegia e flamurit nuk është vepër penale, por janë akuzuar për nxitje të urrejtjes dhe nuk sollën asnjë provë”, u shpreh Gjata. (A2 Televizion)