
Mungesa në ushqime, karburant dhe ilaçe, kaos 3-mujor në port, kufij të fortë me Irlandën dhe rritje të kostove të kujdesit shëndetësor.
Këto do të ishin pasojat e rënda të një Brexit-i pa ujdi, sipas dokumenteve sekrete të qeverisë britanike të publikuara nga “The Sunday Times”. Gazeta shkruan se "dosja ofron një vështrim të rrallë mbi një plan sekret të qeverisë për të shmangur një kolaps katastrofik në infrastrukturën e vendit".
Dokumentet ku detajohet ndikimi negativ në vend në rast të një Brexit-i pa marrëveshje, janë nxjerrë nga një ish-ministër në përpjekjen për të ndikuar negociatat e qeverisë me Bashkimin Evropian, tha një burim qeveritar të dielën.
Por, Michael Gove, ministri që po merret me koordinimin e përgatitjeve për shkëputjen nga unioni, tha se ai i përmendur në dokumenta ishte skenari më i keq dhe se planifikimet janë përshpejtuar 3 javët e fundit.
“Mendoj se po ekzagjerohet. Sigurisht që do të kemi disa pengesa rrugës, por dokumenti i publikuar nga “The Sunday Times” ka qenë një përpjekje e kaluar për të përballuar situatën më të keqe të mundshme. Kemi marrë masa për të mundësuar që ekonomia dhe vendi ynë të jenë në pozicione sa më të mira pas largimit nga BE-ja në 31 tetor”, tha Gove.
Kryeministri britanik Boris Johnson ka thënë se vendi do të largohet nga Bashkimi Evropian më 31 tetor pa një marrëveshje nëse nuk do të mundet të rinegociojë ujdinë e paraardhëses së tij Theresa May me bllokun. Megjithatë, zyrtarët e kanë paralajmëruar kryeministrin Boris Johnson se dalja pa marrëveshje nga BE-ja do të vendoste në rrezik bashkëpunimin për ndarjen e informacionit që u nevojitet forcave të zbatimit të ligjit si dhe industrinë e shërbimeve financiare. (A2 Televizion)